|
![]() |
|||||||||
Por ka edhe shembuj të tjerë. Këtu gjej rastin të përmend faktin, se p.sh himni zyrtar i Vatikanit u përcaktua në vitin 1949 me anë të një vendimi zyrtar të Selisë. Në bazë të himnit të Vatikanit qëndron muzika e kompozitorit francez Sharl Guno, i cili e shkroi këtë muzikë në vitin 1846 (vepra quhet “Marcia Pontificiale” dedikuar papa Piut të XI), muzikë e cila gati 100 vjet më vonë u vendos të ishte himn zyrtar i Selisë së Shenjtë. Dhe raste të tilla ka shumë. Historiku i krijimit të himnit tonë kombëtar Nga këto rradhë, por dhe nga zhvillimi i mëtejmë i historisë së Shqipërisë, vëmë re se në kushtet kur nuk kishte shtet shqiptar ishte jashë mendjeje, që dikush të mendonte që në fillim të kishim himnin e pastaj të bënim shtetin, si me thene: “buxhakun para oxhakut”. Shumë vite më vonë, poeti i shquar Migjeni shkroi poezinë me titull “Kënga që s’kuptohet”, kushtuar melodisë sonë kombëtare. Në përpjekje për ta zhvendosur titullin e poezisë nga konteksti i saj, do të shohim se ky emërtim qëndron fare mirë për të, nisur jo vetëm nga largësia nga data e krijimit të himnit, por dhe se shkrimet historike për gjenezën e himnit tonë, kanë shërbyer në të njëjtën kohë edhe si kronikë besnike e lindjes së tij, por dhe si alibi. Gjatë hulumtimeve të materialeve dokumentare rreth lëndës në fjalë, në librin “The Guinnes Book of Music”, është shkruar si më poshtë: himni “Rreth flamurit të përbashkuar” është pranuar si himn kombëtar i Shqipërisë në vitin 1912, fjalët e himnit janë shkruar nga Asdreni, muzika e himnit është kompozuar nga Ciprian Porumbesku. Duke i shqyrtuar një nga një për sa më sipër, e vëteta do që të theksohet fakti kuptimplotë, se përpara se himni të bëhej himn zyrtar i shtetit të ri shqiptar më 1912, po sipas Lasgushit, “… kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroi ai ashtu, nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shënjtëroi, duke e dashur me zemër gjer në therori dhe më shumë e përtej vetëtherorisë. Me të luftuan çetat e kryengritjes që ishin nëpër gjithë viset e Atdheut, dhe vdiqën vdekjen e ëmbël dëshmorët e lirisë. Me të u ngrit Flamuri në Vlorë”. Me pak fjalë, kjo do të thotë që ngritja e flamurit nën tingujt dhe fjalët e “Betimit mi flamur” ishte vetëm një akt formal nga ana e Ismail Qemalit për ta njohur këtë këngë si këngën tonë kombëtare. Së dyti, lidhur me fjalët e himnit. Në asnjë vend të botës, nuk gjejmë një himn kombëtar i cili t’i kushtohet po një simboli tjetër kombëtar siç është flamuri, dhe që të dy së bashku t’i kushtohen atdheut. Ja poezia e plotë e “Betimi mi flamur”-(Hymni patriotik) e shkruar dhe publikuar nga Asdreni në vitin 1908: Rreth flamurit të përbashkuar O flamur, flamur, shenj` e shenjtë,
Së treti lidhur me muzikën e himnit. Si Migjeni, po ashtu edhe Lasgush Poradeci anojnë të paktën në karakterizimin e përgjithshëm të himnit tonë për nga përbërësi muzikor i tij. “Këngë a vaj? Çë je? Thuejma, zemër kombi! (Migjeni); “U bë Shqipëria! Po u bë duke vuajtur me buzëqeshje, duke u kurajuar me këngën e jetës dhe të vdekjes nër dhëmbe: me Himnin e saj Kombëtar Shqiptar” (Lasgushi). Më tej, Prof. Sokoli thotë se “… motivi i këtij himni e ka burimin te tradita muzikore gjermane , meqë këngët e lartpërmendura (nga kjo traditë-shënimi ynë) janë më të hershme se kompozimi i Porumbeskut”. Edhe kompozitori i shquar bashkëkohor George Ligetti konstaton me të drejtë ngarkesën edhe origjinën internacionale të parakrijimit të Himnit Shqiptar të Flamurit. Pohimi i kësaj të dhëne është me rëndësi jo vetëm për faktin se krijimi i himnit tonë në pikëpamje muzikore ishte drejtuar përkah orientimit të përgjithshëm perëndimor, por dhe se në këtë mënyrë nuk ka arsye që ende të citohet Porumbescu si krijues i tij. Vetë krijimtaria muzikore e Purumbeskut ka një lidhje të fortë me traditën e shquar muzikore të Austrisë, vend ku ai studioi muzikë pranë konservatorit të Vienës. Tashmë njihet fakti, se në bazë të himnit të tij qëndron një nga meloditë më te njohura të rinisë austriake të gjysmës së dytë të shek. XIX. Në rastin e himnit të vjetër të Rumanisë “Pe al nostin steag”, të kompozuar nga C. Porumbescu me fjalë të A. Barteanut, po sipas Prof. Sokolit, “… mjafton të krahasojmë fillimet e këtyre këngëve gjermane me fillimin e Himnit të Flamurit për të parë ngjashmërinë e madhe, ose pothuajse njëjtësinë e disa masave”. Në Shqipëri në vitet 1900-1945, nga muzikologjia jonë konstatohet se krahas folklorit muzikor dhe tendencave të para të muzikës profesioniste shqiptare, u krijua dhe kultivua edhe nje repertor këngësh me origjinë vendase dhe internacionale, këngë të cilat këndoheshin në gjuhën shqipe. Kjo gjë u vu re si në aspektin e këngëve lirike si psh serenatat, po ashtu edhe në fushën e këngëve patriotike e më pas atyre partizane. Pa u zgjatur këtu do të përmendja këngën “Të gjithë ne o djema”, me fjalë dhe muzikë nga Spiridon Ilo (1876-1950); këngën “Vlora-Vlora”, me kompozitor Thoma Nasin dhe poezi nga Ali Asllani; “Këngën e dëshmorëve të Shkodrës”, me fjalë dhe muzikë nga Kolë Jakova; “Këngën e Asim Zenelit” me fjalë nga Qamil Buxheli dhe muzikë nga Mustafa Krantja; “Bashkohi shokë me ne në çetë”, me fjalë dhe muzikë nga Kolë Jakova; “Shkrep me zjarr porsi rrufeja”, me fjalë nga A. Skali dhe muzikë nga Kristo Kono; këngët “Kushtrimi i lirisë”, “Britma e çlirimit”, “Hakmarrja” , “Ato maja rripa-rripa”, “Rini-Rini”, “Himni i ushtrisë” me muzikë të Dhora Lekës e shumë të tjera. E gjithë kjo krijimtari kishte bërë jetën e saj nga goja në gojë dhe vetëm gjatë viteve ’50, tek ne u bënë përpjekjet e para për të grumbulluar dhe notizuar këngët patriotike edhe partizane që ishin kënduar nga populli për vite me rradhë duke përfshirë këtu edhe himnin e flamurit. Dy botimet e para të kësaj fushe i përkasin vitit 1959 të përgatitura përkatësisht nga Gaqo Avrazi -“Këngë patriotike”, dhe nga Baki Kongoli - “Këngë partizane”. Në materialet shoqëruese të tyre me të drejtë konstatohet se në përgjithësi për të gjithë këtë repertor vihet re se pjesërisht janë krijime me autor, pjesërisht të popullit dhe pjesërisht melodira të importuara që tashmë ato janë asimiluar në thesarin e muzikës sonë. Konstatimi vazhdon me faktin se populli këto këngë i ka bërë të tijat duke marrë formën shqiptare saqë po t’i krahasosh me origjinalin ndryshojnë mjaft njera nga tjetra. Dhe ky nuk është vetëm një fenomen shqiptar. Në kulturën muzikore të ç’do vendi, në të gjitha kohërat gjendet një repertor i tërë muzikor i cili qarkullon pa ndërprerë, duke ndryshuar gjuhën si dhe stilemat muzikore të materialit fillestar. Kjo është një dukuri normale e shkëmbimit të kulturave. Për sa më sipër, edhe muzika e himnit kurrsesi nuk mund të quhet plagjaturë e për më tepër imitim. Po ashtu, ajo nuk duhet të konsiderohet si një pamundësi kompozimi prej krijuesve shqiptarë. Pikërisht zgjedhja e kësaj melodie ndoshta mund të ketë qënë edhe e rastësishme, por ne mendojmë se parapëlqimi i saj synonte zgjedhjen e një gjuhe muzikore tepër të lexueshme e të qartë për të tjerët, për të kuptuar aspiratën e kombit shqiptar në ato vite të errëta të historisë së tij. Duke pasur dhe përdorur në ndërtimin e tij melodik, gjymtyrë të tëra pan-evropiane, himni synonte (me gjetjen muzikore “rastësore”), pikërisht Europën. I krijuar në kohën e ripërtëritjes së ndërgjejges historike shqiptare, melodia me tekstin e Asdrenit sillte dhe ende sjell zërin e njërit prej popujve të rilindur të Europës. Rreth historisë së shkrim-notizimit të himnit kombëtar Për herë të parë për partiturën e himnit flet Lasgushi kur përshkruan dërgimin e himnit në atdhe nga kolonia shqiptare e Bukureshtit në vitin 1908 me anë të Tashko Ilos dhe Hilë Mosit i cili punonte ne kete kohe si sekretar prane nje tregetari te madh te Korces. Lasgushi i quan ata me qëllim kasnecë, pasi ishin në të vërtetë mbartës të një mesazhi që fillimisht duhej kënduar. Që të dy erdhën në Korçë “… me partiturat e himnit të bëra imtësisht gati me fjalë shqip”, dhe prej këtu filloi mësimi dhe përhapja e himnit kombëtar në të gjithë Shqipërinë. Po sipas Lasgushit “…përhapja parashikonte në krye të të gjithave mësimin e këngës”. Pikërisht për këtë arsye u zgjodh Hilë Mosi i cili kishte përveç formimit letrar dhe intelektual edhe talentin muzikor. Mendoj se përhapja e himnit në popull do të ketë pasur vështirësi serioze për dy arsye. E para lidhet me mungesën e mësimit të muzikës dhe të sistemit muzikor në Shqipëri në ato vite, dhe e dyta lidhet me veshin muzikor të shqiptarit. Përhapja e himnit në një rrugë “gojë më gojë”, ndërmjet transmetuesve të tij (shpesh herë pa arsim muzikor), dhe bartësve të tij të ardhshëm , me siguri duhet ë ketë sjellë një rikrijim të mundshëm të tij. Së dyti, historia ka provuar se është tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që një populli si i yni t’i imponosh një melodi të huaj, aq më tepër melodinë që do të shndërrohej më pas në këngën kombëtare shqiptare. Në një kohë me ardhjen e Hil Mosit dhe Tashko Ilos në Korçë, një shtytje mësimit të muzikës në përgjithësi dhe mësimit të himnit në veçanti i dha krijimi i “Bandës së Lirisë” themeluar më 1 tetor 1908. Qysh në formim banda përbëhej prej 25 muziktarësh me vegla të ndryshme. Fakt është se komuniteti i ri i muziktarëve në Korçë, pajtoi me pagesë një dirigjent italian të quajtur Pasquale i cili shërbeu si dirigjent i “Bandës së Lirisë”. Aq shumë u lidh ai me të sa më vonë edhe himnin e bandës së Lirisë e kompozoi ai vetë me fjalë të Hil Mosit. Pas kësaj periudhe, me gjallimin edhe të formacioneve të tjera muzikore nëpër qytetet e Shqipërisë si Shkodra, Elbasani, Gjirokastra, Vlora, Gjakova etj, përhapja e himnit me nota u bë më e lehtë. Mbi regjistrimet muzikore të himnit tonë kombëtar Himni ynë ka njohur shumë versione të regjistruara në disqe duke filluar prej viteve ‘40 e deri në fund të viteve ’60. Ndër këto regjistrime në disqe, përmendim atë te regjistruar pranë “ODEONIT” me nr. Ab 56 me mbishkrimin: “Hymni i flamurit”, Një pjes e korit të shkollës Normale Femërore të Korçës drejtue prej Maestro Z. Sotir V. Kosmos. Ky kor ka interpretuar gjithashtu në diskun me nr. Ab 55 edhe “Hymnin Mbrentorë” etj. Regjistrimi më i mirë profesionalisht i himit tonë kombëtar, është ai i vitit 1995. Ky regjistrim është interpretuar nga orkestra simfonike e Bambergut-Gjermani dhe është orkestruar posaçërisht për këtë orkestër nga kompozitori ynë i shquar Prof. Çesk Zadeja (1927-1997(-“Artist i Popullit”) me rastin e vizitës së Presidentit gjerman në Shqipëri. Historiku i përpjekjeve për himne të tjera kombëtare Një poezi të shkëlqyer përsa i përket references sonë lidhur me flamurin kemi edhe nga Zef Serembja: Flamuri shqiptar N`mëshirë të fatit përherë duke ndeshur
Në vitin 1922, Këshilli i Ministrave shpall konkursin për bërjen e “Himnit zyrtar kombëtar”. Për shpalljen e konkursit dhe kriteret e tij caktohet Ministria e Arsimit ku ndër të tjera u përcaktua edhe masa e shpërblimit prej 1000 franga ari për vjershëtarin e himni dhe 3000 franga ari për kompozitorin e tij. Më tej, në vitin 1937, në përvjetorin e 25 pavarësisë, u organizua një konkurs, me qëllim bërjen e një himni tjetër kombëtar. Sipas arsyetimeve të Komisionit të ngritur për kremtimet e 25 vjetorit të vetqeverimit, “… hymni i sotëm i flamurit kombëtar asht fjalë për fjalë përkëthimi i një marshi rumun dhe gjithashtu melodija e tij asht nji kopjim i plotë i muzikës rumune”. Duke e konsideruar ekzistencën e këtij himni “… si një cen për ndërgjegjen kombëtare dhe për sedrën t`onë atdhetare”, komisioni i përbërë nga Zj. Parashqevi Kyrias, Mati Logoreci, Kol Rodhe, Telki Selenica, Sotir Papakristo, Karl Gurakuqi, Zoi Xoxa, Lasgush Poradeci, Qemal Butka dhe Odhise Paskali në mbledhjen e dates 05. 03. 1937 vendosën hartimin e një himni tjetër me frymë thjesht shqiptare. Ky komision ngriti edhe një komison-juri, e cila do të vendoste për caktimin e krijimit artistik i cili do të ishte himni i ri kombëtar. Komisioni përbëhej nga At Gjergj Fishta, Mid`hat Frashëri dhe Konstantin Cipo. Për hir të së vërtetës, Mid`hat Frashëri bën dorëheqjen nga kjo Juri, dorëheqje e bërë e ditur publikisht me letrën e tij të dt.26. 07. 1937. drejtuar Komisionit qëndror të kremtimeve të vetqeverimit. Nga 76 krijime, juria e përbërë nga At Gjergj Fishta dhe Kostaq Cipo shpallën fitues himnin e krijuar nga Beqir Çela[16]., i cili mbante pseudonimin “Osoja i Ri”. O Flamur, yll i lirisë, Fakt është se ky konkurs për poezinë e himnit nuk u pasua edhe nga një tjetër konkurs i cili do t`i kushtohej muzikës së tij. Për këtë arsye, duke mbetur vetëm një tekst, kjo poezi nuk pati popullaritet dhe si e tillë u fshi nga qarkullimi, megjithëse pjesëmarrësit dhe krijimet e këtij konkursi u botuan në shtypin e kohës. Për variacion të temës së njohur të flamurit, edhe konkursi në fjalë u quajt “Tekstet për konkursin e Hymnit të Flamurit”. Më pas kemi edhe një konkurs për melodinë e himnit kombëtar. Në konkurs u shpall fitues një kompozitor italian mjaft i njohur, por edhe për këtë nuk pati një vendim zyrtar të metëjshëm për ta zyrtarizuar si himnin tonë kombëtar. Krijime artistike mbi këtë temë, të konsideruara në vetvete të pavaruara (por me titullin “Hymni Mbretnor”), kemi të realizuar me vargje të Loni Logorecit dhe “muzikuar si e këndon Spiridon T. Ilo” në tonalitetin Fa +. Ky variant është botuar edhe me nota (facsimile e partiturës) dhe hapet me strofën:
Në këtë kohë, një përpjekje tjetër për të ndryshuar himnin ekzistues të flaumurit, u bë edhe nga ana e kompozitorit Thoma Nasi dhe poetit Kristo Floqi. Në ndryshim nga sa më sipër, këta dy autorë e ruajtën të paprekur linjën melodike të “Himnit të Flamurit”, por synuan ndryshimin e vargjeve të tij. Me këtë rast, kompozitori Thoma Nasi realizoi të parin klavir të himnit tonë kombëtar së bashku me harmonizimin përkatës Pas pushtimit , në vitet 1942-43, në malet e Shqipërisë partizanja Dhora Leka krijoi himnin e ushtrisë çlirimtare, himn i cili njihet edhe sot zyrtarisht si himni i ushtrisë sonë, kjo krahas shumë himneve të brigadave partizane apo formacioneve të tjera luftarake etj. Pas çlirimit të vendit më 29 Nëndor 1944, rreth fundit të vitit 1945-fillimit të 1946, u organizua konkursi i parë shtetëror për himn kombëtar. Krahas shumë krijimeve të paraqitura, si krijimi më i mirë u shpall “Himni i Shqipërisë së re”, me poezi të Skënder Luarasit dhe muzikë të Kristo Konos, rezultat që u bë i ditur me shpalljen e Shqipërisë republikë më 11 Janar 1946. Koha tregoi se edhe ky krijim artistik nuk u ligjerua që të zëvendësonte himnin ekzistues për arsye nga më të ndryshmet, megjithëse “Himni i Shqipërisë së re” (në ndonjë rast edhe me fjelë të tjera), pati interpretime të ndryshme, kryesisht nga kori i ushtrisë. Pas kësaj, përpjekjen tjetër serioze për të shkruar një himn, e kemi në fillim të viteve ’70. Nga Këshilli i ministrave të asaj kohe, në bashkëpunim me ministrinë e arsimit dhe kulturës si dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë u shpall një konkurs për “Himnin e Republikës”. Në këtë konkurs morën pjesë ajka e krijuesve tanë, ndër ta Çesk Zadeja, Ismail Kadare, Tish Daija, Fatos Arapi, Nikolla Zoraqi, Xhevahir Spahiu, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi, Tasim Hoshafi etj. Sipas ish sekretar të lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, studiueses dhe kritikes së muzikës zj. Hamide Stringa konkursi pati një organizim shumë serioz si nga ana e krijuesve ashtu edhe nga organizatorët. Më kujtohet se kemi bërë shumë takime për të parë materialet dhe për t’i seleksionuar. Pas seleksionimit u arrit në dy variante. Në himnin e krijuar nga Çesk Zadeja dhe në atë të Nikolla Zoraqit me poezi të Fatos Arapit të titulluar “E lirë u ngrit toka jonë”. Pati mendime që të njihej si himn edhe kënga e Pjetër Gacit “Për ty atdhe”. Historia e himneve vazhdon edhe më tej, por gjithësesi pa sjellë ndonjë rezultat i cili të ndikonte në ndryshimin e himnit tonë kombëtar. Në të gjithë këtë histori të himneve të tjera, ajo ç’ka duhet thënë është e lidhur me faktin se asnjë vendim nga cilido forum artistik apo shtetëror, nuk ka ndikuar në zëvendësimin apo ndryshimin e himnit ekzistues të flamurit, për arsyen e thjeshtë, se himni është ngulitur thellë me rëndësinë, peshën dhe domethënien e tij në memorien kolektive të shqiptarëve. Ndoshta gjithë ç’ka thamë më sipër mund të jenë një argument i mjaftë për të kuptuar, se pse kanë “dështuar” përpjekjet për të ribërë në himn të ri të Shqipërisë. Kjo nuk do të thotë se s’do të ketë përpjekje të tjera, por mendoj se mbrapa tyre, edhe sikur himni “Rreth flamurit të përbashkuar” të mos njihet më si himn zyrtar, shqiptarët kudo që të jenë do të vazhdojnë përsëri të këndojnë thjesht këngën “Rreth flamurit të përbashkuar”. Së fundi Deri atëhere, himni i vërtetë i shqiptarëve apo “Avazi ynë kombëtar”, siç shprehet Konica do të jetë ai që do të njihet, do të këndohet dhe do të respektohet nga të gjithë shqiptarët, ashtu siç është shkruar në nenin 14, pika 4 të Kushtetutës: Himni Kombëtar është “Rreth flamurit të përbashkuar”. |
|
|||||||||
![]() |