Votoni... A jeni per tu bashkuar trojet Shqiptare ne nje Shtet
PO
JO
  
pollcode.com free polls
 






http://www.fdbk-online.org/

PROGRAMI

 

I FRONTIT DEMOKRATIK TË BASHKIMIT KOMBËTAR

 

 

Situata politike

Historia komplekse e Ballkanit ka shqetësuar politikën globale. Nuk gjen rast tipik në botë ku çështjet nacionale të nxisin krizën e kontinetit. Në Evropë Nacionalizmi, për shumë arësye, nuk mund të shmanget nga vetëdija e kombeve, të përfshirë në një hartë politike qesharake. Ky fenomen po ndërthuret me tendenca raciste, duke sjellë pasoja në situatën integruese të BE-së. Pas kërkesave për standarte nacionalizmi është vlerësuar si element kërcënimi dhe pasigurie. Kjo situatë ka nxitur institucionalizimin e integrimit evropian, i cili ndjen nevojën e përshpejtimit të proceseve të ndryshimit në Ballkan, duke tentuar drejt çmontimit të pjesës mitike të historisë prej psikologjisë rajonale. Qarqet politike në gadishull e kanë përdorur atë padrejtësisht kundër njeri tjetrit, në dëm të paqes dhe sigurisë. Kjo do të çonte në ndryshime psikosociale, me ndikime në ndërtimin e marrëdhënieve brenda rajonit. Një objektiv i papërmbushur në kufijtë e dështimit që meriton kritikën.  

Kriza politike rajonale është e pranishme. Ballkani u përfshi në dy luftra që e çuan rajonin në kufijtë e shpërthimit. Pritshmëria dhe paaftësia politko - ushtarake evropiane detyroi politikën e SHBA-ve të ndërhynte në Ballkan. Në thellim të reformave, politika ndërkombëtare në Ballkan synoi shoqërinë multietnike, bashkëjetesën, pa vlerësuar më parë dhunën me të cilën janë vendosur kufijtë politikë në rajon. Modeli i shoqërisë “multietnike” më parë në Bosnje Hercegovinë e më pas në Kosovë (me 94 për qind popullsi shqiptare) nuk rezultoi funksional. Krizat në Ballkan shfaqet më së shumti në natyrën e Pushtetit Politik, i cili është vënë përballë mungesës së rrugëzgjidhjeve për interesat madhore. Mungesa e zgjidhjeve të pranueshme nga të gjithë palët, vazhdon të nxisë përplasjet midis kombeve dhe kombësive të shtrira në marrëdhëniet ndërshtetërore. Kjo situatë dikton rishikimin e marrëveshjeve të vjetra në kushte të reja, kundër synimeve kufizuese të “zonave të influencës”, me objektiva progresiste që synojnë bashkimin e kombeve dhe integrimin në shkallë rajonale.

Ballkani mbart qetësi relative, e destinuar të shkatërrohet në rastin më të parë, pa vullnetin e fuqive të mëdha. Për gjeopolitikën kontinentale këtu fillojnë problemet dhe BE-ja ndjen brenda saj krizën ballkanike për shkak të lidhjes territoriale dhe përgjegjësive politike. Sot funksionon opsioni: Pa Ballkanin e integruar, e ardhmja e BE-së është në diskutim. Elementët dezintegrues janë kthyer në barriera të vështira për t’u kapërcyer. Burimi kryesor i krizës ballkanike mbetet nacionalizmi agresiv, i cili ka çuar kombet në Ballkan drejt agresivitetit të ndërsjelltë, në rrudhosje, kriza e konflikte të përgjakëshme në kufijtë e gjenocideve. Përplasjet historike kanë sjellë boshllëkun kombëtar, i cili ende tenton të mbushet me konfliktet midis shteteve fqinje. Kriza rajonale ka lidhje me tri elementë kryesorë: nocionin gjeografik, me dimensionin e simboleve dhe të përzjerjes demografike të shteteve. Mbi këtë konstatim, proceset politike në rajon nuk i janë nënshtruar analizave serioze mbi reflektimin politiko – historik të kohës, për atë se çfarë provuan, çfarë dëshmuan dhe çfarë kanë lënë të dobishme e të dëmshme ato për zhvillimet rajonale.

Në Ballkan, bërthama politike është orientuar me vështirësi për të ringritur në përmasat rajonale fortesën kolektive të bashkëjetesës dhe integrimit, e cila anashkalon problemet etnike dhe pasojat që mbart brenda rajoni. Për këtë arësye Ballkani sot merr përparësi në planet e fuqive të mëdha. Vendet në rajon përballen me rrezikshmërinë e jetës social - politike, e cila nuk bën dallim për asnjë shtet ballkanik. Pasojat konsistojnë në paqëndrueshmërinë e rendit publik, në strukturat dhe aktet terroriste, në shkeljet e të drejtave të njeriut, situatat anarkiste, përballë realitetit të vështirë ekonomik.

Rajoni dominohet nga mendimi vrasës që  “vdekja e njerit është ekzistencë për tjetrin”. Kriza ballkanike nxitet nga ndikimet politike të rekomandimeve jologjike të institucioneve shkencore ballkanike (veçanërisht Akademitë e Shkencave), të cilat frymëzohen nga nacionalizmi dhe godasin nën diktatin e politikave shtetërore, duke vështirësuar procesin e përfshirjes të rajonit. Problemi mund të shtrohet në dy mënyra, ose të pranohet ky realitet gjeopolitik, ose në kushte të tjera, në një ndërmarrje ndërkombëtare të synohet drejtësia duke ulur të gjitha palët për të korrigjuar pasojat që ka lënë historia në rajon. Zgjidhja e krizës kërkon që në rajon të zbatohet një filozofi e re evropiane, e cila të synojë në integrimin e kulturave të kombeve dhe popujve, larg paragjykimeve, duke vendosur drejtësinë kundër padrejtësive historike të shekullit të kaluar. Sot në Ballkan jetojnë së bashku ndryshimi, eksperimentimi politik dhe konflikti.  

 

1. Hyrje

 

1.1. Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar përfaqëson në përmbajtjen e tij një filozofi të qartë dhe aktive për rrugët, format dhe alternativat që do të nxiten e ndiqen drejt bashkimit kombëtar të popullit shqiptar, në rrugë të hapura demokratike duke u mbështetur në një veprimtari aktive gjithëpërfshirëse të faktorit patriotik shqiptar kudo që ai jeton e vepron në interes të çështjes kombëtare shqiptare.

1.2. Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar është mbështetur në frymën që buron nga filozofia kombëtare e Rilindasve shqiptarë, i cila synon të realizojë rezonancën shpirtërore të shqiptarëve në të gjitha hapësirat etnike dhe jashtë tyre, duke nxitur në mënyrë të organizuar ripërtëritjen e ndërgjegjes kombëtare, duke e orientuar me kurajo veprimtarinë kombëtare drejt një Rilindje të dytë mbi bazën e kushteve të reja të krijuara në dekadën e fundit të shekullit që lam pas.

1.3. Fronti Demokratik i Bashkimit Kombëtar nëpërmjet këtij programi synon të marrë përsipër misionin e vështirë të Bashkimit Kombëtar të Popullit Shqiptar, duke shtruar si çështje për zgjidhje arësyen historike kundër mosdashjes historike përballë alternatives, përse shqiptarët duhet të bashkohen në trojet e tyre etnike. Copëtimi i Shqipërisë është një padrejtësi historike që duhet korrigjuar.

1.4. Fronti Demokratik i Bashkimit Kombëtar i përmbahet aletarnativës politike: Pa zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan procesi i integrimit të rajonit do të jetë i vështirë dhe siguria rajonale e rrezikuar. Analiza mbi bazën e filozofisë politike të kohës parashtron shkencërisht faktorët që kanë nxitur nacionalizmin agresiv në rajon dhe padrejtësitë historike që kanë sjellë në rend të ditës vetë krizën e sotme ballkanike.    

1.5. Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar synon të ndërgjegjësojë faktorin politik shqiptar, se shqiptarët dëshirojnë të shkojnë drejt hapësirës së përbashkët demokratike, duke shmangur në rrugë legale e demokratike pengesat serioze që çojnë drejt bashkimit kombëtar.  

1.6. Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar mbështetet në analizën serioze të shkaqeve dhe pasojave që kanë trazuar çështjen kombëtare shqiptare. Evidentimi i problemeve që shtrohen për t’u zgjidhur nga faktori shqiptar lehtësojnë rrugët e integrimit të rajonit, duke vendosur drejtësinë e munguar që prej vitit 1913.

1.7. Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar nxitet nga fakti që sot në veprimtarinë politike dhe patriotike të subjekteve shqiptare nuk ka një qëndrim unik për mbrojtjen e interesave kombëtare të popullsisë shqiptare kudo që ajo jeton. Përballë filozofisë së përçarjes, programi shtron alternativën filozofike të pranuar unanimisht, e cila e ka të nevojëshme të ngrihet në vlerat e sfidës së madhe të kohës që jetojmë. Mungesa e alternativës shpresëdhënëse e ka mbërthyer politikën shqiptare në pasivitet me efekte negative për të ardhmen e çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan. Ky program ndërtohet mbi një realitet konkret mbi masa të pranueshme e të zbatueshme hap pas hapi, duke dhënë mundësinë e gjithpërfshirjes së faktorit patriotik dhe kontributeve të tyre në interes të çështjes kombëtare.

1.8. Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar vlerëson si problem kryesor përpara forcave patriotike shqiptare nevojën e organizimit të mendimit, qëndrimit dhe veprimtarive me karakter kombëtar, për të jetësuar idetë themelore të filozofisë së bashkimit kombëtar. Ato duhet të përshkohen nga fryma patriotike aktive në zbatimin e detyrave dhe misionit të tyre në interes të çështjes kombëtare shqiptare.

1.9. Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar vlerëson faktin që thelbi imendimit filozofik drejt bashkimit kombëtar mbështetet në traditën konstitucionale, e cila e ka bazën në preambolën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në ligjshmërinë themelore të periudhave të ndryshme historike të kombit shqiptar, gjatë gjithë ekzistencës së tij.

Në preambulën e Kushtetutës së Mbretërisë Shqiptare të vitit 1928”

“Kombi shqiptar, i lirë e kryelartë, me plot shpresa lumturie për kohën e ardhme, me dëshirë të patundëshme e plot gjallëri për forcimin e përjetshëm të bashkimit kombëtar dhe për sigurimin e zhvillimit paqësor të Atdheut e të së mirës së përgjithëshme të popullit, duke respektuar traditat historike të kombit, të cilat padyshim i sigurojnë brezit të ardhshëm një mbarëvajtje të meritueshme, në Kuvendin e dytë Kushtetues, më datën 1 dhjetor 1928, vendos dhe dekreton këtë Statut”.

 

Në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të vitit 1998:

Ne, populli i Shqipërisë, krenar dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim tek Zoti dhe tek vlerat e tjera universale, Me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit  dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqënien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se, drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit: VENDOSIM KËTË KUSHTETUTË

Duke respektuar elementët më kryesor të traditës dhe vizionin e qartë për të ardhmen, Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar merr karakter të hapur demokratik dhe të zbatueshëm në të gjithë përmbajtjen e tij. 

 

2. Objektivat

 

Objektivat themelorë të Programit të Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar  synojnë nxitjen dhe mbështetjen e shtetit në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës, të faktorit politik dhe patriotik shqiptar në hapësirat e tjera etnike dhe në Diasporë, drejt një veprimtarie aktive në interes të realizimit të aspiratatës shekullore të shqiptarëve drejt Bashkimit Kombëtar. 

Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar parashtron:

2.1. Nxitjen në rrugë të hapur demokratike të të gjithë elementëve veprues politikë, patriotikë, organizativë e mediatik për propogandimin e idesë së Bashkimit Kombëtar të Kombit Shqiptar në një shtet të vetëm me emrin Shqipëri, të mbështetur në aspiratën legjitime shekullore për Identitet dhe Bashkim Kombëtar.

2.2. Ndërtimin e infrastrukturës ligjore me bazë patriotike, e cila do t’u nënshtrohet kërkesave të një niveli të lartë organizimi politik dhe patriotik, duke kërkuar në rrugë ligjore e demokratike reagimet kundër veprimtarive antishqiptare të nxitura nga qarqet ultranacionalishte në rajonin ballkanik e më gjerë. 

2.3. Në Republikën e Shqipërisë Fronti Demokratik i Bashkimit Kombëtar do të mbështetet në faktorin patriotik, duke synuar nxitjen e qëndrimeve politike për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo në botë. Prej këtej do të koordinohen të gjitha veprimtaritë e karakterit mbarëkombëtar me frymë patriotike.   

Në bashkëpunim të ngushtë me nivelet intelektuale shkencore brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë, do të nxitet përpunimi i mendimit shkencor me bazë historike kundër filozofisë së mbapshtë me efekte përçarëse mbi Kombin Shqiptar, kundër filozofisë së përjashtimit të faktorit shqiptar në vendimarrjen politike për çështjet rajonale dhe kundër diskriminimit dhe dhunimit të vlerave kombëtare.

2.4. Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar do të sigurojë lidhjet me institucionet kryesore qëndrore të shtetit shqiptar, subjektet politike që mbështesin çështjen kombëtare, organizimet patriotike, Akademinë e Shkencave, universitetet, shoqatat patriotike atdhetare, lëvizjet social – politike të shtresave të shoqërisë etj. për realizimin e detyrave dhe objektivave me karakter kombëtar.  

2.5. Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar do të synojë organizimin e forcave patriotike për mbështetjen e Republikës së Kosovës, si një fazë kalimtare drejt ribashkimit të saj me Republikën e Shqipërisë. Si prioritet në të ardhmen do të synohet përgatitja e kushteve demokratike për bashkimin demokratik të Sanxhakut, Kosovës Lindore dhe të Luginës së Vardarit me trungun e shtetit amë.  

2.6. Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar synon në rigjallërimin e ndërgjegjes kombëtare tek popullsia shqiptare në krahinën e Sanxhakut, duke kërkuar të drejtat e tyre për vetevendosje.

          2.7. Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar mbështet hapur integrimin dhe bashkimin shpirtëror me efekte prapavepruese të shqiptarëve në shtetin e Maqedonisë, të Malit të Zi. Integrimi i plotë i komunitetit shqiptar në jetën politike të shteteve ku jetojnë, duke përfituar të drejtat maksimale që u ofron legjislacioni vendas dhe standardet e sotme, kundër diskriminimit për ruajtjen e vlerave kombëtare. 

          2.8. Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar nxit në mënyrë demokratike shndërrimin e faktorit shqiptar në këto vende në partnerë të barabartë me kombësitë e tjera, duke synuar në realizimin e plotë të kërkesave të marrëveshjeve ekzistuese dhe korrigjimin e atyre që koha i ka çvlërësuar.

          2.9. Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar synon nxitjen e faktorit politik shqiptar në heqjen e “ligjit të luftës” nga shteti grek, rikthimin e shtetësisë greke qytetarëve shqiptarë çamë dhe të drejtën e lëvizjes së lirë për t’u rikthyer në trojet e tyre me të gjitha të drejtat e minoriteteve dhe pakicave kombëtare.  

          2.10. Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar parashikon bashkimin shpirtëror të shqiptarëve në Emigracion dhe Diasporë me kombin e tyre në hapësirat etnike, duke synuar koordinimin e plotë të veprimtarive me karakter kombëtar dhe mbështetur të drejtën e tyre për t’u integruar në jetën perëndimore.

2.11. Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar nxit tek shqiptarët në hapësirat etnike nevojën jetike drejt kërkesës fondamentale mbi pranimin e formave dhe metodave më efikase të koordinimit të veprimtarive patriotike të mbështetura në mendimin intelektual patriotik, drejt praktikave të domosdoshme duke respektuar idenë vepruese drejt përfshirjes dhe mbështetjes së qëndrës së veprimtarisë kombëtare në Tiranë.

2.12. Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar synon drejt organizimit të forumit më të lartë kombëtar, i cili në nivele të një Kuvendi Mbarëkombëtar, të arrijë të legjitimojë veprimtaritë me karakter kombëtar dhe të shpallë dokumentet me bazë juridike mbështetur në të drejtën ndërkombëtare. Legjimiteti i këtyre institucioneve patriotike dhe ligjore nuk duhet të lejojë hapsira për veprimtari çoroditëse në shërbim të individëve dhe grupimeve të caktuara në dëm të çështjes kombëtare shqiptare. Kjo veprimtari mbarëkombëtare vlerësohet një mision fisnik, e cila ka nevojë për mbështetjen dhe pjesmarrjen e të gjithë pratriotëve dhe intelektualëve shqiptarë që gjenerojnë ide vepruese për çështjen kombëtare, duke vënë në shërbim energjitë e tyre për plotësimin e objektivave dhe synimeve të këtij forumi.

 

3. Elementët veprues

 

Tradita kombëtare dhe konstitucionalizmi modern, mbështetur në analizën e thellë të vlerave të tyre të deritanishme, imponojnë rolin parësor të Republikës së Shqipërisë në mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare. Ky rol dhe mision do të nxisë dhe mbështesë elementët shtetformues të popullsisë shqiptare në trevat e tjera të Shqipërisë, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt përpjekjeve të organizuara demokratike për fitoren e pavarësisë së tyre, duke siguruar nga shteti shqiptar mbështetjen aktive të domosdoshme mbi të drejtën e shtetit amë. Popullsia shqiptare në hapësirat etnike duhet të ndihet e sigurtë në mbështetjen morale, shpirtërore e filozofike të shtetit të tyre, për afirmimin e vlerave të identitetit të tyre kombëtar dhe të drejtave si shtresa të barabarta të një popullsie të barabartë me aftësi shtetformuese. Ajo duhet ta ndjejë këtë mbështetje në përmirësimin e jetës së saj dhe besimin në të ardhmen drejt Bashkimit Kombëtar.

Analizën e vërtetë të situatës social – politike në Republikën e Shqipërisë e bëjnë institucionet legjitime shqiptare, të cilët janë të qartë në synimet e tyre strategjike drejt bashkimit kombëtar, duke përzgjedhur taktikat e nevojëshme për realizimin e tyre. Kjo kërkon një analizë të hapur e trasparente, e cila përfshin shtresat e gjera dhe veçanërisht intelektualët e kombit shqiptar. Ajo jep mundësinë e koordinimit, transparencës dhe besueshmërisë për vlerat e saj korrigjuese ndaj politikave të deritanishme. Lufta politike, e mbështetur në filozofinë e bashkimit kombëtar, është e drejtë të realizohet si e tillë, sepse individë dhe institucione që ushqejnë situata të papranueshme në këtë çështje madhore, nuk duhet të gëzojnë më të drejtat e përfaqësimit të interesave të Kombit Shqiptar.

 

 

 

 

3.1. Kosova dhe e ardhmja e saj.

Kosova sot vuan pasojat e krizës së brendëshme, nën vëzhgimin e subjekteve ndërkombëtare. Oazet serbe të vertikalizuara në Beograd dhe të pranuara e të lejuara nga strukturat ndërkombëtare, janë të mjaftueshme për t’u bërë shkak i incidenteve, përplasjeve deri në shpërthim të krizës, e cila mund të kërkojë angazhime të reja ndërkombëtare. Rreziku i shpërthimit të dhunës me karakter etnik ndjek situatën. Në këto kushte, politika dhe qëndrimi evropian në Kosovë po shkon drejt rrudhosjes së pashmangëshme. Vëmendja dhe masat zbutëse në këtë rast janë të pamjaftueshme. 

Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar vlerëson të ardhmen e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, si një nga detyrat themelore dhe pikënisje të zgjidhjes së çështjes shqiptare në përgjithësi. Zgjidhja e drejtë e këtij objektivi arrin të ekuilibrojë pozicionin gjeo - politik të shqiptarëve në rajonin ballkanik dhe lehtëson veprimin e elementëve integrues dhe të sigurisë në rajon. E ardhmja e shtetit të ri të Kosovës lidhet me zgjidhjen e çështjes së saj brenda realitetit dhe vizionit të së ardhmes në tërsi të çështjes shqiptare në Ballkan drejt bashkimit me Republikën e Shqipërisë. 

Shqiptarët kanë kuptuar se, kjo dekadë ka realizuar një bashkim shpirtëror ndaj rrezikut të përbashkët, në të ardhmen e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Ato duhet të nxisin prioritetet në bashkëpunimin midis tyre, duke realizuar shkallë shkallë integrimin social, ekonomik, politik dhe duke thelluar integrimin shpirtëror, drejt bashkimit kombëtar.

Duke vlerësuar maksimalisht nacionalizmin agresiv serb, detyra kryesore mbetet të kërkohet bashkimi shpirtëror, si faza e parë e nitegrimit mbarëshqiptar. Si hap i parë duhet të synohet mendimi dhe qëndrimi mbarëkombëtar për konsolidimin e pavarësisë dhe të drejtën e shtetit të Kosovës. Midis realitetit dhe aspiratës kombëtare për bashkim të arrihet një harmoni e plotë, duke e çuar faktorin politik drejt marrveshjeve të vlefshme mbarëkombëtare. Në këtë çështje nuk është e mjaftueshme vetëm veprimi i filozofisë së bashkimit mbi bazën e patriotizmit popullor. Kufijtë midis dy shteteve janë të hapur dhe ofrojnë mundësitë e integrimit më të gjerë ekonomik e social - politik.

Republika e Kosovës ka të drejtë të kërkojë të administrohet nga shqiptarët me status të plotë shtetformues dhe në të ardhmen të respektohet vullneti i shqiptarëve mbi simbolet kombëtare. 

Platforma e bashkimit kombëtar mbështet konceptin që, Kosova është e hapur për popullsinë serbe edhe pakicat e tjera. Ky qëndrim po demostrohet në Kosovë, në mënyrë të menduar dhe të organizuar. Kosova nuk është vetëm e shqiptarëve, por e të gjithë qytetarëve që pranojnë të jetojnë aty.

 

 

3.4. Shqiptarët nën IRJM. 

Konstatohet se, IRMJ ka krijuar probleme destabilizuese në Ballkan. Çështja e emrit të saj dhe problemet e brendëshme etnike mbajnë në tension marrëdhëniet me Greqinë dhe shtetet e tjera rrotull saj. Nëse shpërbërja e ish Federatës Jugosllave krijoi një lloj stabiliteti ballkanik, çështja e IRJM-së po shkakton krizën më te thellë të rajonit, duke ekspozuar konrtadiktat në politikën rajonale. Faktori politik shqiptar në çështjen e IRJM-së do të mbetet ose rregullator, ose prishës i ballancës në kopromiset e pritëshme. Politika shqiptare në IRJM mund të orientohet drejt konceptit të federatës, pa përcaktuar vijën e kufirit, i cili do të sillte probleme midis palëve. Kjo rrugë do të vlerësonte realisht vlerat e identitetit kombëtar të të dy kombësive në bashkëjetesë (shqiptarëve dhe maqedonasve) të përfaqësuar në vullnetin politik të tyre mbi bazën e potencialeve elektorale që disponojnë.

Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar vlerëson maksimalisht çështjen kombëtare të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në IRJM. Programi synon unifikimin e qëndrimit të shqiptarëve në fazën e parë të veprimit, duke vërtetuar faktin e dy kombësive në bashkëjetesë brenda shtetit maqedon. Si fazë të dytë, organizimin e kërkesës politike kundër legjislacionit vendas diskriminues për shqiptarët, si ligji elektoral, ligji për natalitetin, ligji për privatizimin, ligji për Policinë e Shtetit, etj. 

Copëtimi i shtetit të sotëm maqedon do të ishte një ndërmarrje politike edhe në dëm të interesave rajonale dhe të shqiptarëve në veçanti. Shqetësimi i politikës është i arsyetuar për shkaqe themelore, të cilat e sjellin situatën mbi emrin e Maqedonisë të dalë jashtë hapësirave të politikës së Ballkanit dhe të Evropës.

 

3.2. Shqiptarët nën Malin e Zi.

Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar vlerëson faktin që, brenda territorit të Malit të Zi, janë të përfshira trevat etnike shqiptare dhe një komunitet që i është nënështruar proçesit të asimilimit. Kundër këtij fenomeni shqiptarët në këtë shtet i janë drejtuar procesit të qëndresës dhe ndjekin me vëmendje konfliktet që veprojnë në dëm të çështjes kombëtare.  Në këtë çështje kërkohet unifikimi i qëndrimeve politike, të synohet në rritjen e praniës së tyre në Parlamentin e Malit të Zi, në korrigjimin e sistemit zgjedhor dhe hartës elektorale, në shfrytëzimin e tërë përparësive pas shkëputjes së kësaj republike nga Serbia dhe kërkesa për më shumë mbështetje nga Republika e Shqipërisë.

Popullsia shqiptare në Malin e Zi, në rrugë institucionale duhet të synojnë dhe të kërkojnë, që të regjistrohen sipas normave të Kartës së Helsinkit dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare, duke mos përjashtuar shqiptarët në emigracion. 

 

3.5. Çështja e Çamërisë, prioritet në programin e FDBK-së. 

Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar do të ndjekë një veprimtari të zhdërvjellët duke mos lënë hapësira ndajnacionaliteteve intolerante në shtetin fqinj, Greqi.

Kërkesat në mbështetje të çështjes çame do të orientohen larg termave dogmatike në kuadrin e zgjdhjes së problemeve të çështjes kombëtare. Kërkesat bazë duhet të jenë:

1.Denoncimi i genoncidit të shtetit grek mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë.

2.Qëndrimi i prerë për heqjen e Ligjit të Luftës nga parlamenti grek.

3.Ngrirjen e ligjit të konfiksimit të pronave deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.

4.Rikthimi i shtetësisë greke popullsisë çame, duke ruajtur kombësinë e tyre shqiptare, e shoqëruar me të drejtën e lëvizjes së lirë për t’u rikthyer në Çamëri, duke gëzuar të gjitha të drejtat e pakicave kombëtare dhe minoriteteve, si dhe rikthimi i të gjitha pronave të grabitura padrejtësisht.

Fronti Demokratik i Bashkimit Kombëtar do të mbështesë fuqimisht Shoqatën Atdhetare “Çamëria”, Partinë për Drejtësi dhe Integrim dhe Partinë për Drejtësi dhe Unitet në mënyrë që Parlamenti Europian dhe Kongresi i SHBA-ve të marrë në shqyrtim dosjen e çështjes së shqiptarëve të Çamërisë, pasojë e spastrimit etniko – fetar me gjenoncid në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.

Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar mbështetet në opsionin se çështja e shqiptarëve të Çamërisë duhet të zgjidhet me rrugën demokratike duke respektuar standartet e shtetit të qytetarit. 

 

3.3. Synimet e FDBK për Krahinën e Sanxhakut.

Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar vlerëson faktin që në këtë krahinë, jetojnë shqiptarë të cilët i janë nënshtruar asimilimit të egër drejt çkombëtarizimit. Ata duhet të integrohen me frymën kombëtare, duke u mbështetur në bazën e kërkesave që burojnë nga Platforma e Rilindjes së parë shqiptare. Në këtë trevë shqiptare do të nxitet dëshira e funksionimit të çështjeve mbi gjuhësinë, traditave patriotike e kulturore, duke vlerësuar qëndrimin atdhetar të popullsisë shqiptare dhe tendencat e faktorit politik atje për integrimin e tyre në të gjitha pikpamjet me Kosovën, si një krahinë autonome e saj.

 

3.6. Arbëreshët në Itali.

Programi i Frontit Demokratik të Bashkim Kombëtar do të krijojë me strukturat e tij lidhje e marrëdhënie të ngushta me komunitetin arbëresh në Itali, me synimet e qarta, të përqafimit të gjuhës dhe kulturës shqipe. Ky komunitet do të nxitet të krijojë lidhje të ngushta me emigracionin shqiptar në Itali për integrimin etnokulturor të tyre, me interes të intensifikimit të veprimtarive për gjallërimin e ndjenjave kombëtare.

 

3.7. Komuniteti shqiptar në BE dhe Diasporë.

Programi i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar mbështet në të gjitha rrugët dhe mundësitë integrimin e komunitetit shqiptar në BE mbi bazën e respektimit të të drejtave të tyre në shtete ku jetojnë dhe pjesmarrjen në veprimtaritë e karakterit kombëtar, duke dhënë një kontribut të çmuar në integrimin e tërë shoqërisë shqiptare në proceset integruese të Evropës Perëndimore. Nxitja e elementëve patriotikë e atdhetarë në këtë komunitet do të mundësojë shmangien e premisave të asimilimit dhe mbajten gjallë të elementëve bazë të identitetit kombëtar dhe do ta kthejë atë në një urë lidhëse të marrëdhënieve të Shqipërisë me shtetet ku ata jetojnë. Fronti Demokratik për Bashkim Kombëtar do të kërkojë forma organizative efektive për mirpërdorimin e potencialeve intelektuale e patriotike brenda tyre.

 

Përmbledhje

 

Përmbajtja e Programit të Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar dhe pranimi i tij lidhet me faktin e krijimit të idesë dominuese, se filozofia vepruese në thelbin e tij do të reflektojë në të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare kudo, në pranimin dhe miratimin e kërkesave themelore të tij, në objektivat dhe detyrat që shtron në kushtet e propogandimit të hapur të idesë së Bashkimit Kombëtar në një shtet të vetëm nën emrin Shqipëri. Gjallërimi i ndërgjegjes kombëtare, ringritja e dinjitetit kombëtar dhe jetësimi i filozofisë së bashkimit kombëtar mbështeten në punën e gjithanëshme të FDBK-së për krijimin e institucioneve patriotike e politiko shoqërore të ndërgjegjësuara, me kuptueshmëri të plotë të vlerave të kësaj filozofie dhe rrugëve demokratike për realizimin e saj.

Analiza e situatës së shqiptarëve në kufijtë jashtë shtetit administrativ (Republikës së Shqipërisë) tregon se brenda hapësirës etnike shqiptare ka një problematikë komplekse, të cilën nuk mund ta zgjidhin dot vetëm potencialet shqiptare dhe nevojat drejt integrimit evropian.

§  Çështja kombëtare e shqiptarëve sot kërkon rrugëzgjidhje konkrete për t’i bërë efektive veprimtaritë e karakterit kombëtar, jo vetëm në planin e bashkimit shpirtëror, por edhe të atij fizik, kundër alterantivave që krijojnë pështjellim, çoroditje e mosmarrëveshje tek veprimtarët atdhetarë.

§  Ajo e ka të nevojëshme bashkimin shpirtëror dhe fizik të shqiptarëve me objekt forcimin e unifikimit të ndërgjegjes kombëtare në ato vlera siç pretendohet për identitetin kombëtar pothuajse nga të gjitha kombet dhe shtetet e Ballkanit dhe Evropës së Bashkuar.

§  Në mendimin shqiptar ka filluar të dominojë opsioni se, të propogandohet çështja e bashkimit kombëtar nuk është më herezi, por një e drejtë morale, gjenetike, juridike, humanitare, ekonomike në shërbim të paqes dhe sigurisë në rajon.   

§  Faktori politik evropian duhet të ndikojë pozitivisht në unifikimin e qëndrimeve politke të subjekteve shqiptare, sepse vetëm kështu lehtësohet dhe ndihmohet vetë çështja e integrimit të rajonit.

§  Faktori politik ndërkombëtar edhe në të ardhmen do të ndikojë në zbutjen e pasojave të rënda të kolonizimit të gjatë të trojeve shqiptare (duke qenë sot në këtë situatë gjysma e trojeve shqiptare) me efekte çkombëtarizimi, të cilat janë pasoja që do të veprojnë gjatë dhe do të trazojnë ndërgjegjen kombëtare dhe politike të shqiptarëve. Këtë situatë nuk do ta pranonte asnjë komb tjetër në Evropën e Bashkuar. 

§  Në politikën shqiptare  po dominon mendimi se vetë ajo duhet të orientohet drejt qëndrimeve të unifikuara kur janë në diskutim interesat kombëtare. Unifikimi i qëndrimeve është sinjal ndryshimi, drejt përfshirjes në “forumet ose byrotë koordinuese” të politikave të zhvillimit kombëtar, të cilat detyrimisht e kanë të nevojëshme të udhëhiqen nga parimi “një komb një qëndrim”.

§  Kritika sot funksionon brenda mendimit shqiptar, kundër termave çoroditëse mbi “Shqipërinë e Madhe, të Vogël, Etnike, Londineze, Natyrale” etj, të cilat çojnë në lojën dinake të teorive të “megalidhesë” dhe “naçertanias”. Në këtë hapësirë jeton një komb i lashtë nën emrin SHQIPËRI. 

§  Kriza thellohet për shkak të diskriminimit politik, elektoral, ekonomik, mosregjistrimit të saktë të popullsisë shqiptare, ligjeve mbi natalitetin, pronësinë dhe privatizimet, shmangia nga elementët e sigurisë, elementë këto të dhunuara sistematikisht në dëm të shqiptarëve nga qeverisjet përkatëse në Serbi, Maqedoni, Malin e Zi dhe në Greqi.

§  Veçanërisht në Maqedoni shtrohet me forcë kërkesa drejt ngritjes dhe funksionimit të Dhomës së Nacionaliteteve me përfaqësim të barabartë, ku një nga figurat themelore e institucioneve të larta të shtetit t’u takojë shqiptarëve. Në shtetet e tjera raportet mbeten të lexueshme sipas situatave dhe mundësive elektorale. Ky qëndrim demokratik do të denonconte qëndrimet politike, të cilat në mënyrë të njëanëshme dhunojnë të drejtat nacionale dhe standartet e shtetit të qytetarit. Të drejtat arrihen nëse subjektet politike shqiptare do të këmëngulin për të përcaktuar paketën e të drejtave nacionale (elementët e identitetit kombëtar) në raport me kombet e tjerë në bashkëjetesë etj

§  Unifikimi i qëndrimeve të politikës shqiptare do të mundësojë kalimin drejt Kuvendit Mbarëkombëtar, i cili në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar do të institucionalizojë çështjen kombëtare shqiptare drejt rrugëzgjidhjeve për Bashkimin Kombëtar.

Fronti Demokratik i Bashkimit Kombëtar (FDBK) është një organizim i hapur gjithpërfshirës  dhe mbarëkombëtar, i cili nuk mbart monopolin e patriotizmit. Përkundrazi, ai mirëpret çdo bashkëpunim atdhetar nga forcat politike, forumet, shoqatat dhe individët në interes të çështjes së Bashkimit Kombëtar.

 

*   *   *

Kongresi Themelues i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar (FDBK),

Komisioni i Programit dhe Statutit të FDBK :

1. Kryetar, Dr. Sulejman ABAZI nga Vlora në Tiranë,

2. Anëtar, Dr. Selaudin KUCAJ nga Teplena në Tiranë,

3. Anëtar, Av. Agron GJEDIA nga Tropoja në Tiranë,

4. Anëtar, Prof. Namik SELMANI nga Camëria në Tiranë dhe

5. Presidenti i FDBK, Mr. Gafurr ADILI nga Kërcova në Tiranë.

*  *  *

 

 

 

Durrës, 28 nëntor 2009.


 

PROJEKT - STATUTI I FRONTIT DEMOKRATIK TE BASHKIMIT KOMBETAR (FDBK)

 


 

NENI 1

PARIMET THEMELORE 

-           Fronti Demokratik i Bashkimit Kombëtar (shkurt: FDBK) është një bashkim demokratik forcash politike patriotike, organizatash dhe shoqatash atdhetare, personalitetesh intelektuale atdhetare, si dhe i masave të gjëra popullore në të gjitha hapsirat shqiptare, pa dallim krahine, feje dhe ideje, që ka si qëllim kryesor ribashkimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare dhe të gjithë popullit që jeton në to në një shtet të vetëm kombëtar shqiptar në Ballkan.

-           FDBK është një organizëm i fuqishëm gjithpërfshirës politik mbarkombëtar që udhëhiqet nga Platforma Politike për zgjidhjen tërësore të çështjes kombëtare shqiptare, të miratuar në Kuvendin e Parë (Themelues) Kombëtar të FDBK-së.

-           FDBK zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare e shtron në kuadër të integrimeve që paraqesin çelës të artë për paqe dhe stabilitet në Ballkan.

Nuk mund të ketë Evropë të Bashkuar me popuj të ndarë dhe me një Ballkan të trazuar.  Populli shqiptar është i ndarë dhe ky fakt mbetet ngarkesë e vazhdueshme në ndërgjegjen e subjekteve me përgjegjësi të lartë ndërkombëtare. Prandej, kufijtë që ndajnë sot shqiptarët, ngelin kufij artificial, të dhunshëm dhe kolonialë. Ribashkimi i shqiptarëve me shtetin e tyre kombëtar do të mundësojë qarkullimin e lirë të mallrave, të shërbimeve, të kapitalit, si dhe lidhjen me vendet e Ballkanit, me qëllim të mënjanimit të burmimeve të konflikteve.

-           FDBK beson në integrimet politike brendashqiptare, si mjet që mënjanon burimet e konflikteve e të luftërave të përgjakshme, dhe më pas, pas integrimeve ndërshqiptare, në një shtet të vetëm kombëtar, le të pasojnë edhe integrimet e tjera, qofshin ato ballkanike apo edhe euro-atlantike.

-           FDBK është i vetëdijshëm se në ditët tona, rregullimin e çështjeve ndërkombëtare e kanë marrë në dorë organizma të fuqishme Botërore ose kontinentale, siç janë: OKB, OSBE, SHBA, Parlamenti Evropian, Këshilli i Evropës dhe organizma të tjera, të cilat veprojnë në bazë të Kartave, që kanë vlerën e statuteve të miratuara nga asamble të mbledhura posaçërisht për to. Këto organizma kanë përcaktuar si parimin më të lartë, për zgjidhjen e të drejtave nacionale, të Drejtën e Vetëvendosjes.

Në emër të këtij parimi, FDBK do të mundësojë realizimin e qëllimt të tij themelor, ribashkimit kombëtar shqiptar.

-           FDBK do të përdorë të gjitha mjetet politiko-demokratike për të korigjuar padrejtësitë e vjetra dhe të reja historike ndaj trojeve shqiptare, duke i bashkuar ato në një shtet të vetëm kombëtar shqiptar. Kjo është e vetmja zgjidhje që iu sjellë paqe, prosperitet dhe integrim të natyrshëm në BE dhe në NATO gjithë vendeve të Gadishullit Ballkanik. Kjo është e vetmja rrugëzgjidhje që e kthen përfundimisht Ballkanin nga një "fuçi baroti", siç ka qenë historikisht, në një gadishull paqeje, harmonie dhe zhvillimi ekonomiko-kulturor.

-           Të vetëdijshëm për angazhimin në luftën pa kompromis kundër terrorizmit të SHBA, BE dhe gjithë faktorëve progresist ndërkombëtar, si armiku kryesor i qytetërimit dhe njerëzimit në ditët tona, FDBK vlerëson se një Shqipëri e Bashkuar do të jetë një aleate cilësore dhe e vendosur përkrahë SHBA-ve dhe forcave të tjera përparimtare ndërkombëtare kundër terrorizmit ndërkombëtar, rajonal dhe ndërshtetëror.

-           FDBK vlerëson se krijimi i shtetit kombëtar shqiptar do të jetë lehtësi ekonomike për Evropën, SHBA-të dhe Botën. Evropa dhe Bota do të lehtësoheshin së paku nga 8 milionë shqiptarë që jetojnë kudo përmes diasporimeve të vjetra dhe të reja si emigrantë ekonomik. Një Shqipëri e Bashkuar, me resurset që ka, është në gjendje që t'i mbajë në gjirin e vet të gjithë shqiptarët e shpërndarë nëpër Botë.

 

NENI 2

ORGANIZIMI DHE STRUKTURIMI

 

-           FDBK shtrihet në të gjitha trojet etnike të Shqipërisë Natyrle dhe në diasporën shqiptare. Njësia bazë e FDBK është Këshilli i FDBK të fshatit, të bllokut dhe të lagjes së qytetit. Në çdo komunë dhe bashki ngrihen këshillat e FDBK-së të komunave dhe bashkive. Në rrethe dhe në qarqe ngrihet Këshilli i Degës së FDBK-së të rrethit apo të qarkut. Në diasporë ngrihen këshillat e degëve të FDBK-së të shtetit përkatës ose grup-shteteve ku janë diasporuar shqiptarët.

-           Organi më i lartë i FDBK-së është Kuvendi Kombëtar i FDBK-së, i cili mblidhet një herë në 4 (katër) vjet. Kuvendi Kombëtar i Jashtëzakonshëm i FDBK-së mund të mblidhet edhe më parë me kërkesën e Kryetarit të Përgjithshëm të FDBK-së, ose me kërkesën e më shumë se 60% të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të FDBK-së.

-           Organi më i lartë i Degës së FDBK-së në rrethe apo në qarqe është Konferencat Kombëtare e Degës së FDBK-së të rrethit apo të qarkut, të cilat mblidhen një herë në 2 (dy) vjet. Kurse, mbledhjet e rregullta janë mujore, dhe ate (mbahen) në çdo fund muaji.

-           Organi më i lartë i FDBK-së në diasporë është Konferenca Kombëtare e Degës së shtetit përkatës apo grup-shteteve ku janë diasporuar shqiptarët, e cila mblidhet një herë në 2 (dy) vjet. Kurse, mbledhjet e rregullta janë mujore, dhe ate (mbahen) në cdo fund muaji.

-           Organi më i lartë i Këshillit të FDBK-së të fshatit, të bllokut dhe të lagjes së qytetit është mbledhja e anëtarëve të FBKSH-së, e cila thirret jo më pak se një herë në muaj, në çdo fund muaji.

-           Delegatët e konferencave të rretheve apo qarqeve, të konferencave në diasporë dhe të Kuvendit Kombëtar të FDBK-së zgjidhen përmes proçedurave të posaçme, të cilat përcaktohen me rregullore të miratuara nga Kuvendi Kombëtar i FDBK-së.

-           Kuvendi Kombëtar i FDBK-së, si organi më i lartë udhëheqës i FDBK-së, i ka këto kompetenca:

1. Miraton Platformën Politike, Programin Taktik e Strategjik dhe Statutin e FDBK-së ;

2. Bënë ndryshime në Platformën Politike, në Programin Taktik e Strategjik dhe Statutin e FDBK-së ;

3. Zgjedh Këshillin Mbarëkombëtar të FDBK-së ;

4. Zgjedh Kryetarin e FDBK-së ;

5. Zgjedh Kryesinë Qendrore të FDBK-së ;

6. Miraton Raportin "Mbi veprimtarinë e FDBK-së gjatë katër vjetëve dhe objektivat për katër vjetët e tjera";

7. Miraton Raportin Financiar të Fondit Kombëtar Shqiptar.

 

-           Numri i anëtarëve të Këshillit Mbarëkombëtar të FDBK-së dhe i Kryesisë Qendrore të FDBK-së përcaktohet me vendim të posaçëm në çdo Kuvend Kombëtar të FDBK-së. 
-           Kryesia Qendrore e FDBK-së, në raste të veçanta dhe për arsye të përligjura, ka të drejtë që të kooptojë, me vendime të arsyetuara, anetare e anëtarë të rinjë në Komitetin Mbarëkombëtar të FDBK-së.

-           Të drejtat, detyrat dhe mënyrën e funksionimit të Këshillit Mbarëkombëtar të FDBK-së, të Kryesisë Qendrore të FBKSH-së, të Kryetarit të Përgjithshëm, të Sekretarit të Përgjithshëm dhe të Zëvendës-Kryetarit të FDBK-së përcaktohen me rregullore të veçanta të miratuara nga Kuvendi Kombëtar i FDBK-së.

-           Mënyra e funksionimit, të drejtat dhe detyrat e këshillave të FDBK të fshatrave, të blloqeve, të lagjeve të qyteteve, të komunave e bashkive, të rretheve, të qarqeve dhe të shteteve ku janë të diasporuar shqiptarët përcaktohen me rregullore të posaçme të miratuara nga Kryesia e FBKSH-së.

 

NENI 3

TE DREJTAT DHE DETYRAT

 

-           Anëtar apo anëtare e FDBK-së mund të jetë çdo shqiptar apo shqiptare:

1. Me zotësi të plotë juridike, pa dallim krahine, feje dhe ideje, që pranon dhe zbaton Platformën Politike dhe Statutin e FDBK-së,

2. Që bënë jetë aktive në një nga këshillat e FDBK-së, dhe

3. Që paguan anëtarësinë mujore.

 

-           Mospërmbushja e njërit nga 3 (tre) kushtet e sipërcekura, ai shqiptar apo ajo shqiptare, gjithçka mund të jetë, edhe simpatizant i FDBK-së, por kurrën e kurrës jo edhe anëtar apo anëtare e FDBK-së, gjë që do të thotë se, ai shqiptar apo shqiptare, nuk do të gëzojën të drejtën të zgjedhi dhe të zgjidhet në forumet drejtuese të FDBK-së dhe rrejdhimisht as në hierarkinë e lartë të organeve drejtuese të FDBK-së.

-           Anëtarët e FDBK-së kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen në të gjitha organet drejtuese të FDBK-së dhe strukturat e tij, të bëjnë kërkesa, ankesa, vërejtje dhe sygjerime, si dhe të shprehen me votën e tyre për të gjitha forumet, strukturat, platformat dhe rregulloret që miratojnë organet përkatëse të FDBK-së.

-           Të rinjtë dhe të rejat shqptare, që nuk kanë mbushur moshën madhore dhe e kanë zotësinë e plotë juridike për të vepruar (nga 14 deri 18 vjeç) kanë të drejtë të organizohen në FORUMIN RINOR ("RINIA E BASHKUAR")TË FRONTIT DEMOKRATIK TË BASHKIMIT KOMBËTAR (FDBK); kurse, mënyra e funksionimit, veprimtaria, të drejtat dhe detyrat e të cilit përcaktohen me rregullore të posaçme të miratuar nga Kryesia Qendrore e FDBK-së.

 

 

NENI 4

FINANCIMI

 

-           Të ardhurat financiare të FDBK-së sigurohen vetëm në forma dhe mënyra të ligjëshme, sic janë:

1. Anëtarësia (kuatizacioni) mujore;

2. Nga shtypi dhe botimet e FDBK-së; dhe

3. Nga ndihmat e popullit, të dhëna vetëm në baza vullnetare.

 

-           Të ardhurat financiare planifikohen. administrohen dhe shpërndahen me vendime të posaçme të Kryesisë Qendrore të FDBK-së.

-           Këshillilli Mbikqyrës i FDBK-së, mbi të ardhurat financiare të FDBK-së, ka të drejtë dhe detyrë që të kontrollojnë dhe propozojnë marrjen e masave të ndryshme, deri në procedime gjyqësore, ndaj çdo organi, strukture dhe personi që abuzon me mjetet financiare të FDBK-së.

-           Organizimi, funksionimi, të drejtat dhe detyrat e Këshillillit Mbikqyrës të FDBK-së përcaktohen me rregullore të posaçme të miratuar nga Kuvendi Kombëtar i Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar (FDBK).

 

NENI 5

SELIA QENDRORE DHE SELITË DYTËSORE

 

-           Fronti Demokratik i Bashkimit Kombëtar (FDBK) Selinë Qendrore e ka në Tiranë, kurse selitë e tjera (dytësore) do t'i ketë edhe në Prishtinë dhe në gjitha qarqet e Republikë së Shqipërisë dhe në gjitha rrethet e Republikës së Kosovës, si dhe në Evropë, në SHBA, në Kanada dhe në Australi.

 

Në emër të Komitetit Organizator (KO) të Frontit Demokratik i Bashkimit Kombëtar (FDBK) ;

- Kryetari,

Mr. Gafurr ADILI__________________________

Nr.Tel.: 00355 (0) 692735656,

E-mail: gafurradili@hotmail.com

Tiranë, 10 Qershor 2009






- 28 nëntor, 1443 - Rikthimi triumfal i Gjergj Kastriotit në Kruje (Nentori i Pare)
- 28 nëntor 1912 - Ngritja e flamurit në Vlorë dhe shpallja e pavarësisë (Nëntori i Dytë)
- 28 nëntor 1944 - Clirimi i Shqiperisë nga pushtimi nazifashist (Nëntori i Tretë)
- 28 nentori 1955- Lindja e Adem jasharit (Nentori i Katert)
- 28 nentori 1997- Dalja Publike E Ushtiris Clirimtare te KOSOVEs (UCK)...( Nentori i Pest)
- 28 nentori ****- Bashkimi i Trojeve Shqiptare (pritet te ndodh)... (Nentori i gjasht)

28 NENTORI DITA E SHQIPTAREVE
NJË KOMB
NJË FLAMUR
NJË QENDRIM
NJË SHTET
NJË SHQIPERI E BASHKUAR
LUFTA JONE VAZHDON...
Rroft UCK-ja
Rroft UCK-ja
Proft UCPMB-ja
Rroft SHQIPERIA E BASHKUAR
Lavdi DESHMORVE te KOMBIT


 
Ti Shqiperi me jep nder, me jep emrin SHQIPETRA This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free